NDERIMI/ Austria shpall tre ditë zie kombëtare për sulmin me 10 viktima në shkollën në Graz

Kancelari austriak, Christian Stocker shpalli tre ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave të sulmit të sotëm në një shkollë në Graz. Stoker shtoi se nesër në orën 10:00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.

Në një mesazh, Kancelari Christian Stocker tha se ishte një ditë e zezë në historinë e vendit dhe se sulmi i armatosur ishte një tragjedi kombëtare që i ka prekur thellë.

“Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen, zinë, që po ndjen e gjithë Austria në këtë moment”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm Gerhard Karner tha se autori i krimit ishte një ish-nxënës që nuk e kishte mbaruar shkollën.

“Çdo gjë tjetër është ende spekulim,” shton ai. Drejtori i policisë zbuloi se policia nuk kishte informacione paraprake në lidhje me autorin e krimit. Ai tha se autori i krimit i zotëronte ligjërisht të dy armët.