THIRRJA/ Miku i Putinit, Orban: Rusët nuk po mund ta mposhtin Ukrainën, le më NATO-n

Miku i presidentit rus, Vladimir Putin, Viktor Orban mendon se rusët janë shumë të dobët për të sulmuar NATO-n.

Kryeministri i Hungarisë beson se lufta në Ukrainë nuk do të përshkallëzohet në një konflikt global, sepse Rusia është shumë e dobët.

“Rusët janë shumë të dobët për një gjë të tillë. Ata nuk mund të mposhtin as Ukrainën, si mund ta sulmonin NATO-n”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka frikë nga përhapja e konfliktit në nivel global.

Ai bëri thirrje për forcimin e Evropës “unë mendoj se rusët kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Evropa duhet të jetë e fortë dhe të negociojë nga një pozitë force. Por, për fat të keq, jemi të dobët, prandaj na duhen Shtetet e Bashkuara… Na duhet një marrëveshje strategjike me Rusinë, por vetëm një Evropë e fortë mund ta realizojë këtë”.


Ai shtoi se duhet të negociohet me presidentin rus, Vladimir Putin dhe se është i gatshëm ta presë atë në Budapest, shkruan telex.

Duke folur për presidentin amerikan, Donald Trump, Orbán tha se ai nuk është Mesia, por se është e mundur të arrihet një marrëveshje me të, megjithëse nuk do të jetë e lehtë.

Orban nuk mbështet qëndrimin e ashpër të Brukselit ndaj Rusisë dhe shpesh shmang kritikat e drejtpërdrejta ndaj saj. Ai gjithashtu përsërit para qytetarëve të tij se anëtarësimi i Ukrainës në BE do të shkatërronte ekonominë hungareze. Së fundmi, ka deklaruar hapur se do të bëjë gjithçka të mundur për të bllokuar hyrjen e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se po mbron interesat kombëtare të Hungarisë.