EMRAT/ Kush do ta drejtojë BKH-në? Nga Gledis Nano te policë dhe hetues, zbulohen disa prej kandidatëve

Ja kush ka shfaqur interes për të drejtuar “FBI-në Shqiptare”...

Zbulohen disa nga kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas largimi të Aida Hajnajt, SPAK hapi garën për të gjithë të interesuarit dhe kanë shfaqur interes si njerëz nga brenda BKH ashtu dhe nga jashtë.

Padyshim emri më i njohur, më i përfolur dhe më i përgatitur është Gledis Nano, ish-drejtori i përgjithshëm i policisë.

Por gazetarja Anila Hoxha, ka zbuluar emrat edhe të disa personave të tjerë. Një prej tyre është Gentian Ndoi, oficer karriere në Policinë e Shtetit prej 25 vitesh, i njohur për drejtimin e Operacionit Forca e Ligjit dhe aktualisht në krye të departamentit të Krimit Ekonomiko-Financiar. Ndoi ka dorëzuar kandidaturën në momentet e fundit, sipas burimeve pranë SPAK.

Nga radhët e BKH-së janë dy kandidatë aktivë: Joni Keta, zëvendësdrejtor aktual i Byrosë, i cili është shfaqur kohët e fundit në veprimtari me prokurorët e posaçëm dhe partnerët ndërkombëtarë; dhe Elton Kërluku, hetues në sektorin e krimit ekonomik. Sipas burimeve, Kërluku kishte shprehur më herët ambicien për të marrë drejtimin e institucionit, por ishte tërhequr më pas.

Përveç tyre, përmendet edhe emri i Marinela Pilincit, oficere e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Korçës, me formim në fushën e drejtësisë.

Një tjetër emër i përmendur është ai i Mentor Cukut, oficer i BKH-së me përvojë të gjatë në drejtësi, i cili ka mohuar se ka dorëzuar kandidaturën.

Komisioni i përzgjedhjes nuk ka publikuar ende një listë zyrtare të kandidatëve, por pritet që në ditët në vijim të nisin intervistat dhe të merren në shqyrtim platformat e tyre për drejtimin e BKH-së.