Marash Kumbulla është kthyer te Roma pas eksperiencës në huazim tek Espanjoli. Ai do të vlerësohet nga Xhan Piero Gasperini përpara se të merret një vendim për të ardhmen. Sipas asaj që raporton “Tuttomercatoweb”, ish-trajneri i Atalantës duket i prirur ta mbajë mbrojtësin shqiptar dhe t’i japë besim gjatë një sezoni ku verdhekuqtë do të jenë të angazhuar në disa fronte, përfshirë Ligën e Europës.
Megjithatë, spanjollët janë shumë të kënaqur me paraqitjet e lojtarit të lindur në vitin 2000 dhe do të donin ta kishin sërish në skuadër, edhe për sezonin e ardhshëm. Problemi qëndron te fakti se klubi katalanas nuk ka burime financiare për ta blerë kartonin e tij përfundimisht, ndaj do të preferonte një zgjidhje të ndryshme, fjala vjen tjetër huazim, ndoshta me përfshirjen e një opsioni blerjeje.
Nga kryeqyteti italian, megjithatë, nuk e shohin me sy të mirë këtë mundësi. Për këtë arsye duket e vështirë që ai të luajë sërish në La Liga sezonin 2025-2026. Në karrierën e tij, 25-vjeçari ka grumbulluar 68 ndeshje dhe 4 gola me Romën, 36 ndeshje dhe 3 gola me Espanjolin, 28 paraqitje dhe 1 gol me Veronën dhe 7 ndeshje me Sasuolon. Këtyre iu shtohen edhe 23 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë.









