Trupat e para të Gardës Kombëtare kanë mbërritur në Los Angeles, pas urdhrit të Trump për të shuar trazirat e dhunshme që shpërthyen gjatë protestave kundër planit të deportimit masiv dhe arrestimeve të emigrantëve. Pamjet e transmetuara nga mediat tregojnë trupa në qendër të qytetit, ndërsa më parë ata kaluan zonën Paramount të Los Angeles.
Sipas BBC-së, trupat po grumbullohen jashtë qendrës së paraburgimit në qendër të Los Angelesit, ku çohen emigrantët pasi arrestohen. Garda Kombëtare do të vendoset në Los Angeles për të ndërhyrë në protestat kundër imigracionit, një veprim i dënuar nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e quajti veprimin e Trump “inflamator” dhe paralajmëroi se do të përshkallëzojë tensionet.
Qeveria amerikane vendosi të mobilizojë 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare. Sekretari i Mbrojtjes i ka dhënë udhëzime Komandës Veriore të SHBA-së që të marrë komandën e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare të Kalifornisë për të mbrojtur personelin federal dhe pronën federale në zonën e madhe të Los Anxhelosit në mbështetje të agjencisë kryesore federale.
Për tensionin e shkaktuar nga arrestimet masive të emigrantëve nga anëtarët e shërbimit federal të imigracionit (ICE), Donald Trump po kritikon ashpër guvernatorin demokrat të Kalifornisë dhe kryetarin e bashkisë së Los Angeles.
Duhet theksuar se një ndërhyrje e tillë është federalizimi i Gardës Kombëtare, e cila sipas Kushtetutës së SHBA-së është nën kontrollin dhe juridiksionin e guvernatorëve të shteteve. Kujtojmë se forcave të armatosura të SHBA-së u ndalohet të ndërhyjnë brenda vendit, gjë që Garda Kombëtare e ndërmerr nëse është e nevojshme.
Galeria fotografike:











