VIDEO-LAJM/ “Shqipëri etnike”, Tirana vishet kuqezi në prag të ndeshjes me Serbinë; tifozët ‘e djegin’ në kryeqytet

Vetëm më pak se 4 orë para ndeshjes së rëndësishme ndaj Serbisë, atmosfera është bërë e ‘zjarrtë’ me tifozët shqiptarë që kanë mbushur rrugët e Tiranës duke mbështetur Kombëtaren.

Edhe stadiumi sot është bërë më i bukur se kurrë me ngjyrat kuqezi të tifozërisë së zjarrtë

Të veshur kuq e zi tifozë të shumtë kanë ardhur në mbështetje të Kombëtares kuqezi, ndërsa valëvisin flamurin kombëtar.

Siç shihet në video, nuk mungojnë këngët dhe kërcimi, ndërsa atmosfera duket më e “zjarrtë” si asnjëherë me parë.

Edhe pse jo të gjithë tifozët do të jenë në stadium, përkrahësit e kombëtares do të mbështesin skuadrën në ambiente të ndryshme.

Të gjithë sytë e shqiptarëve do të drejtohen në “Air Albania”, ku në orën 20:45 do të startojë sfida Shqipëri-Serbi.

Kombëtarja mbylli përgatitjet për sfidën kundër Serbisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ndërsa seanca e fundit stërvitore i shërbeu Silvinjos për të kristalizuar idetë e tij për formacionin.

Kjo përballje ka një ngarkesë të veçantë emocionale dhe historike, duke kujtuar sfidat e kaluara dhe tensionet mes dy kombëtareve. Megjithatë, në fokus është sporti dhe dëshira për të shkruar historinë me një fitore të madhe për kuqezinjtë.

Forcat e rendit janë vendosur në pika strategjike për të garantuar sigurinë, ndërsa mijëra tifozë kanë udhëtuar nga rrethe të ndryshme dhe jashtë vendit për të qenë pjesë e kësaj dite historike.