KREU I RI I BKH/ Pas ish-drejtorit të policisë Gledis Nano, zbulohet emri i dytë në garë për drejtimin e “FBI-së shqiptare”

Gara për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit është në ditën e saj të fundit të dorëzimit të kandidaturave, ku është zbuluar edhe emri i kandidatit të dytë.

Burime për Euronews Albania konfirmojnë se Jon Keta, zëvendësdrejtori aktual i BKH-së, ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën për të pasuar në detyrë Aida Hajnajn, mandati i së cilës përfundon më 31 gusht.

Përveç tij, në listën e kandidatëve përfshihet edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në total, mësohet se deri tani kanë aplikuar katër persona.

Pas testimeve dhe vlerësimit të disa fazave, komisioni i ngritur pranë SPAK pritet t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) emrin përfundimtar për emërim.

Mandati i drejtuesit të BKH-së është pesëvjeçar. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga Arben Kraja, Altin Dumani dhe Behar Dibra.