Në bazë të kontrolleve të mbështetura në informacionet e inteligjencës policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të dhënies me qira të ambienteve për ushtrim prostitucioni, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë kanë zhvilluar planin operacional policor të koduar “Secret Flat”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast në këtë fushë.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim, shtetasi F. S., 28 vjeç, banues në Tiranë. Po për të njëjtat vepra penale, u shpall në kërkim edhe shtetasja F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze.
Nga hetimet rezultoi se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku”, të cilin e kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit.
Në këtë ambient, ata shfrytëzonin për prostitucion kundrejt pagesës tre shtetase të huaja me kombësi kineze, të cilave u kishin ofruar strehim dhe u siguronin klientët për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Prostitucioni”, në ngarkim të tre shtetaseve të huaja H. G., B. A. dhe L. M., të cilat shfrytëzoheshin nga këta dy shtetas dhe ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.









