KURBAN BAJRAMI/ Besimtarët myslimanë falin namazin dhe kremtojnë ditën e bekuar. Ja pse sot është festë e dyfishtë.

Besimtaret duke falur Namazin

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin.  Në kryeqytet dhe kudo nëpër Shqipëri e gjithë botën mijëra qytetarë u mblodhën herët në mëngjes për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Një mesazh në këtë ditë të veçantë për myslimanët shqiptarë dha edhe kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu.

Teksa i uroi festën të gjithë besimtarëve, ai vendosi theksin te dashuria për njëri-tjetrit, ndihma për ata që kanë nevojë dhe rëndësinë e unitetit.

Kreu i KMSH, ndër të tjera vlerësoi se sot është një festë e dyfishtë, pasi festa përkon me një ditë të rëndësishme si ajo e xhumasë.

“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë. Ju urojmë gëzuar Kurban Bajramin, që të sjellë paqe mirësi e begati në familje dhe kudo anembanë botës”, u shpreh ndër të tjera Spahiu.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyj, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftoj Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë.

Familja mban një pjese; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramı, që do të thotë “Festa e Flijimit”. I njëjti emërtim përdoret edhe në Azerbajxhan, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni, Rusi, Serbi, Turqi e Ukrainë.

bignews.al u uron Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë!