Vatikani ka zbardhur temat e diskutimit në bisedën telefonike të zhvilluar mes Papa Leonit XIV dhe presidentit rus Vladimir Putin. Sipas Vatikanit, Papa i kërkoi Rusisë të ndërmarrë hapa konkrete për të mbështetur paqen në konfliktin me Ukrainën. Ai theksoi rëndësinë e dialogut si rrugë për zgjidhjen e konfliktit dhe parandalimin e vuajtjeve të mëtejshme civile gjatë bisedës së tij me Vladimir Putin.
Matteo Bruni, Drejtor i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, u tha gazetarëve se Papa dhe Presidenti diskutuan situatën humanitare, si dhe nevojën për të lehtësuar ndihmën aty ku është e nevojshme.
“Papa i bëri thirrje Rusisë të ndërmarrë një hap që do të favorizonte paqen, duke theksuar rëndësinë e dialogut për të krijuar kontakte pozitive midis palëve dhe për të kërkuar zgjidhje për konfliktin”, thuhet në deklaratë.
Papa Leoni XIV dhe Presidenti Putin diskutuan gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme për shkëmbimet e të burgosurve dhe vlerën e punës që Kardinali Matteo Maria Zuppi, Kryepeshkop i Bolonjës, po bën në këtë drejtim.
“Papa Leoni iu referua Patriarkut Kirill, duke e falënderuar për urimet e marra në fillim të pontifikatit të tij dhe nënvizoi se si vlerat e përbashkëta të krishtera mund të jenë një dritë që ndihmon në kërkimin e paqes, mbrojtjen e jetës dhe ndjekjen e lirisë së vërtetë fetare”, tha Bruni.









