Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka njoftuar se do të garojë në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit në Kosovë, për kryetare të Prishtinës.
Këtë, Shahini e ka konfirmuar përmes një video adresimi në profilin e saj në Facebook, ku ka thënë se Prishtinës i duhet në ndryshim radikal.
‘‘Para 4 viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fort, që e ka një potencial të jashtëzakonshëm i cili ka marr një drejtim të gabuar në zhvillimin e vet. Është një qytet që është kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër dhe jo shumë miqësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit’’, ka thënë ajo.
Shahini, e cila ka mbajtur postin e Ministres së Arsimit në Shqipëri, ka ftuar qytetarët e Prishtinës që të bëhen pjesë ‘‘e këtij ndryshimi’’.
“Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025. Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhje që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim’’, ka deklaruar ajo.
Kliko për videon:👉 https://www.facebook.com/watch/?v=677715151723631









