KANABISI MJEKESOR/ Berisha akuzon Ramën për dhënie abuzive të lejeve për kultivimin e hashashit gjatë fushatës

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë një konferencë me gazetarët, ku vijoi akuzat për atë që ai e cilëson “masakra elektorale e 11 majit”.

Në deklaratën e tij, Berisha tha se gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Edi Rama shpërndau në mënyrë të paligjshme leje për kultivimin e kanabisit, me një vlerë të përllogaritur deri në 10 miliardë euro. Sipas tij, kjo është një shkelje flagrante e ligjit elektoral dhe e konventave ndërkombëtare.

“Ligji i miratuar nga qeveria parashikon lejen për mbjelljen e vetëm 200 hektarëve kanabis në të gjithë territorin e vendit. Por në një vit elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua, dhjetëra, qindra herë më shumë, duke arritur në 29.300 hektarë,” tha Berisha.

Ai e cilësoi këtë një përpjekje kriminale për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve: “Në farsën elektorale të 11 majit, Edi Rama përdori çdo mjet në dispozicion, përfshirë lejet për mbjelljen e drogës, për të kontrolluar dhe blerë votën e shqiptarëve.”

Berisha theksoi se në sipërfaqen prej 29.300 hektarësh mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat, sipas tij, përbëjnë një treg të jashtëligjshëm me vlerë rreth 10 miliardë euro.