Polakët do të hedhin votat të dielën në një balotazh presidencial të jashtëzakonshëm, që pritet të jetë më i ngushti që nga rënia e komunizmit.
Sondazhet tregojnë një garë të tensionuar mes dy kandidatëve kryesorë, Rafał Trzaskowski dhe Karol Nawrocki, me vetëm disa përqindje diferencë.
Në raundin e parë, Trzaskowski, kryetari i bashkisë së Varshavës dhe mbështetës i axhendës progresive, u përball me historianin nacionalist të krahut të djathtë, Karol Nawrocki, i cili mbështetet nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS). Ndryshimi midis dy kandidatëve është brenda kufirit të gabimit në sondazhe, duke e bërë balotazhin të paparashikueshëm.
Në zgjedhjet e vitit 2020, Duda fitoi raundin e dytë ndaj Trzaskowski me një diferencë shumë të ngushtë, 51% kundër 49%. Tani, tensioni është më i madh, pasi dy vizione të kundërta për të ardhmen e Polonisë janë në lojë: një Poloni më e lidhur me Bashkimin Evropian dhe më progresive, kundrejt një vizioni më të fokusuar në identitetin kombëtar dhe sovranitetin.
Një moment kyç në këtë balotazh ka qenë edhe një ngjarje e papritur në Siekierczyn, një komunë rurale me vetëm 4,265 banorë. Raundi i parë në këtë zonë u vendos me një votë të vetme, duke e bërë atë simbol të rëndësisë së çdo vote.
Trzaskowski e shfrytëzoi këtë moment për të nënvizuar se çdo votë mund të ketë ndikim të madh në rezultatin përfundimtar, duke u drejtuar qytetarëve: “Ndoshta keni dëgjuar shpesh ‘vota ime nuk do të ndryshojë asgjë’. Por shikoni Siekierczyn-in.”









