Administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton ndërmarrjen e veprimeve të reja ndaj Kinës, pas akuzave të drejtpërdrejta të presidentit amerikan se Pekini ka shkelur marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë për mediat, zëvendësshefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë për çështje politike, Stephen Miller, tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të reagojnë në mënyrë të vendosur për të garantuar respektimin e marrëveshjeve nga ana e Kinës.
“Kjo shkelje hap rrugën për çdo lloj mase që mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara për të siguruar përmbushjen e marrëveshjes në të ardhmen”, tha Miller. “Ka masa që janë tashmë në zbatim, masa që janë në proces dhe masa që aktualisht po shqyrtohen”.
Edhe pse dy vendet kishin rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm në luftën tregtare, tensionet janë rikthyer me intensitet. SHBA ka urdhëruar ndalimin e shitjes së mikroçipave nga kompanitë amerikane drejt Kinës, ndërsa Departamenti i Shtetit ka njoftuar anulimin e vizave për një numër studentësh kinezë.









