Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, kur në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit.
Të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend kanë kaluar në gatishmëri pas një shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e djeshme jashtë burgut të Fushë-Krujës. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, kur në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit.
Drejtoria e Burgjeve ka dalë me njoftim ku thuhet se në momentin që forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje konstatuan një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori e shkaktuar nga tritoli me nitrat.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, nga hetimt rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Në njoftim thuhet gjithashtu se kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të sigurisë, si edhe po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.









