Me vlerë 430 milionë lekë, zbulohet projekti i urës që do të lidhë godinë e SPAK me atë të BKH…
Vetëm pak ditë pasi u zyrtarizua largimi i Aida Hajnajt nga kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka nisur puna për godinën e re të FBI-së shqiptare.
Rasti i zonjës Hajnaj shkaktoi debat shumë të madh, pasi ligji i jep asaj të drejtën për të mbajtur edhe një mandat të dytë, por kjo nuk pranohej nga Dumani dhe besnikët e tij. Pas shumë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh, SPAK hapi garën për një drejtues të ri dhe kjo do të thotë se në korrik Hajnaj do të largohet.
Koincidencë ose jo, pas largimit të saj SPAK ka nisur punën për një godinë moderne për BKH. Është folur prej muajsh për këtë godinë, por vetëm tani kanë nisur punimet. Te dera e SPAK është publikuar projekti për ndërtimin e një ure lidhëse mes godinës së BKH dhe SPAK. Do të jetë në formën e një tuneli mbitokësor, në mënyrë që agjentët apo prokurorët të lëvizin kollaj nga njëra godinë në tjetrën. Tuneli kalon mbi rrugën “Jordan Misja”.

Godina e re është përballë godinës ku është tani SPAK dhe për ndërtimin e urës dhe godinës do të shpenzohen 430 milionë lekë. Vetë Altin Dumani, kur raportoi në KLP pak kohë më parë, foli mbi godinën në fjalë dhe akuzat se aktualisht marrja në pyetje bëhet pa regjistrime audio e video.
“Kushtet nuk i kemi pasur të mira për të ushtruar funksionet hetuese të BKH. Janë 4-5 hetues në një zyrë, çka e vështirëson qoftë edhe marrjen në pyetje të një dëshmitari. Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij viti të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre. Në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje, sepse të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne”, u shpreh Dumani.









