ZBULIMI/ Varre të lashta më shumë se 3000 vjeçare gjenden në Egjipt

Tre varre që datojnë mijëra vjet më parë janë zbuluar në një kompleks varrimi të lashtë egjiptian.

Sipas ministrit të turizmit dhe antikiteteve , gërmimet u kryen tërësisht nga egjiptianët, ndërsa e konsideroi një zbulim “të rëndësishëm” për të dhënat arkeologjike të vendit

Mbishkrimet brenda varreve i lejuan ekipit të gërmimeve të identifikonte emrat dhe titujt e pronarëve të tyre.

Një nga varret i përket një personi nga periudha e Ramesidëve, zakonisht konsiderohet të jetë dinastia e 19-të dhe e 20-të, i cili punonte në tempull.

Një varr tjetër, që daton që nga dinastia e 18-të, i përkiste dikujt me emrin Baki, i cili punonte si mbikëqyrës i hambarit.

Varri i tretë, që daton gjithashtu që nga dinastia e 18-të, i përkiste një personi të quajtur Es, i cili identifikohej si person që mbante disa poste: mbikëqyrës në Tempullin e Amunit, kryetar bashkie i oazeve veriore dhe shkrues.

Varret shënojnë një tjetër zbulim të bërë këtë vit në Luxor, ndërsa do të nevojitet punë e mëtejshme për të përfunduar pastrimin dhe studimin e mbishkrimeve të mbetura në varre.

Në shkurt, një mision i përbashkët arkeologjik egjiptiano-britanik zbuloi varrin e mbretit Thutmose II, ku shkrimtarët e cilësuan zbulim të jashtëzakonshëm.