TRANSFERIMI/ “Do të flas me presidentin pas finales”, Inzaghi jep “sinjale” se do të largohet nga Interi!

Simone Inzaghi, trajneri i Interit, ka folur për Sky Sport gjatë ditës së hapur për mediet përpara finales së Champions League kundër PSG-së, që do të luhet të shtunën në Mynih. Ai theksoi rrugëtimin e jashtëzakonshëm të ekipit në këtë kompeticion, duke arritur në finalen e dytë brenda tri viteve.

“Qëllimi ynë i madh është të fitojmë të shtunën. Përballë kemi një kundërshtar të shkëlqyer, por do të përgatitemi sa më mirë,” tha Inzaghi.

I pyetur për zhgënjimin nga kampionati i humbur, ai pranoi: “Donim ta fitonim, por rivali ynë meriton komplimente. Tani fokusi është te finalja.”

Krahasuar me finalen e mëparshme ndaj Manchester City-t, Inzaghi vlerësoi përvojën e ekipit: “Të kesh luajtur një finale na ndihmon. PSG-ja është një skuadër e fortë, me cilësi të lartë dhe një trajner të shkëlqyer si Luis Enrique. Ne do të luajmë me parimet tona, vendosmëri dhe intensitet.”

Për sa i përket ndikimit të rezultatit të finales në të ardhmen e tij, Inzaghi u shpreh: “Tani s’ka kuptim të flasim për të ardhmen. Do të diskutojmë me presidentin dhe klubin, gjithmonë për të mirën e Interit.”