THYERJA E BESIMIT/ DEA dyshon tek autoriteti i shtetit – është provuar shumë raste që droga qarkullon në portin e Durrësit me eskortë shtetërore

Agjencia amerikane e drogës bën thirrjen e fundit përpara shkëputjes së bashkëpunimit me autoritetet shqiptare…

Më 20 maj 2025, Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri një thirrje publike të pazakontë: qytetarët shqiptarë të denoncojnë vetë rastet e trafikut të drogës, në një numër WhatsApp të DEA-s dhe në një email të dedikuar.
Kjo nuk është fushatë e zakonshme. Është shenjë alarmi. Një provë e qartë se DEA amerikane nuk i beson më as Policisë së Shtetit, as SHISH-it, as strukturave shqiptare anti-trafik.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku Ambasada Amerikane është detyruar të bëjë thirrje direkte publikut, për të marrë informacion për ngarkesat e drogës.
Këtë nuk e ka bërë as në Malin e Zi, as në Kosovë, Maqedoni, Bosnje apo Serbi. Sepse asnjë nga këto shtete nuk ka një sistem kaq të korruptuar dhe të kapur nga kupola politike, sa të lejojë ngarkesa droge të futen, të qarkullojnë dhe të dalin, nën mbikëqyrjen shtetërore.

Prej më shumë se 2 vitesh, asnjë rast droge nuk është raportuar nga vetë autoritetet shqiptare. Të gjitha ngarkesat e zbuluara; nga Durrësi në Shkozet, nga laboratorët e fshatrave te terminalet e bananeve, janë rezultat i aksioneve të detyruara nga DEA, EUROPOL apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Dhe kur këto agjenci u detyrojnë shqiptarëve të veprojnë, kapen vetëm ushtarë të vegjël; bosët zhduken, ngarkesat pastrohen, hetimet mbyllen.

Rasti më tronditës është ai i kompanisë “Bana King” në Portin e Durrësit.
Sipas burimeve nga agjencitë ndërkombëtare:

Më 8 dhjetor 2023, një kontenier me 130 arka kokainë doli nga porti pa u kontrolluar, u çua në një parking privat në Shkozet, ku ngarkesa u shkarkua, dhe më pas u kthye në port për t’u zhdoganuar si “i pastër” – në prezencë të një oficeri të shtetit.
Më 29 maj 2024, gjatë skanimit të një kontenieri tjetër, u zbuluan 55 pako kokainë në 13 arka me banane. U hoqën në prezencën e policisë dhe… u zhdukën. Asnjë raport, asnjë hetim, asnjë arrestim.
Këto nuk janë raste të rralla. Janë modeli i funksionimit të trafikut në Shqipëri. Dhe DEA e di këtë. Prandaj nuk merret më me bashkëpunim me institucionet, por i drejtohet popullit.

Sepse DEA e di që:

-SHISH, Policia dhe Drejtoria e Antitrafikut janë të infiltruar.
-Rastet nuk raportohen.
-Ngarkesat kalojnë me dijeni të shefave.
-Politika, me në krye kryeministrin Rama, e mbron këtë sistem sepse është pjesë e tij.

Në raportet e saj, DEA e ka theksuar se kryeministri nuk ka asnjë vullnet për të luftuar drogën. Sepse e kontrollon vetë këtë rrjet përmes njerëzve të tij në policinë kufitare, në portet, në SHISH dhe në strukturat që duhet ta ndalonin këtë rrjet, por kanë zgjedhur ta mbrojnë.

Ndërkohë, për të mbajtur “balancën publike”, shteti arreston të vobektit, ndërsa trafikantët që ‘importojnë’ tonelata me kokainë marrin leje ndërtimi, resorte strategjike dhe mbështetje politike.

Thirrja e DEA-s është thirrja e fundit para shkëputjes së bashkëpunimit

Nëse drejtësia dhe institucionet shqiptare nuk veprojnë, të vetmit që do ndëshkohen do të jenë qytetarët. Sepse Shqipëria po kthehet në vatër të garantuar të pastrimit të parave dhe qarkullimit të drogës.