Janë luajtur sot ndeshjet e fundit në Serinë A, ku vëmendja kryesore ishte te gara mes Juventusit dhe Romës për vendin e katërt si dhe te mbijetesa. Juventusi fitoi në transfertë 2-3 në Venecia. Vendasit surprizan bardhezinjtë duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë me Fila, pas një aksioni të shpejtë.
“Zonja e Vjetër” përmbysi shifrat me golat e Yildiz në minutën e 25 dhe Kolo Muani në minutën e 30. Pjesa e parë u mbyll 1-2 për Juventusin. Në minutën e 55, Venecia barazoi shifrat me Harps, pas asistit të Doumbia. Goli i fitores për bardhezinjtë erdhi nga Manuel Lokateli në minutën e 73 nga pika e bardhë e penalltisë, pasi Françisko Konseisao u pengua brenda zonës.
Roma fitoi në transfertë 0-2 ndaj Torinos me golat e Paredes në minutën e 18 me penallti dhe Salemaekers në minutën e 53. Verdhekuqtë e mbyllin në vendin e pestë me një pikë më pak se Juventusi i vendit të katërt dhe sezonin e ri do marrin pjesë në grupet e Ligës së Europës, bashkë me Bolonjën, e cila fitoi Kupën e Italisë.
Ndërkohë Lacio që deri para një javë ishte në garë për zonën Champions, mbetet jashtë Europës, pasi u mund sot 0-1 nga Leçe dhe renditet në vendin e shtatë. Në Ligën e Konferencës do shkojë Fiorentina, e cila fitoi në transfertë 2-3 në Udine. Me fitoren e sotme, klubi vjollcë e mbyll në vendin e gjashtë.
Ndërkohë, Empoli i bashkohet Venecias dhe Monzës dhe do të luajë në Serinë B sezonin e ri. Ekipi ku luan edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli, u mund në fushën e vet 1-2 nga Verona, duke e mbyllur në vendin e 18 këtë sezon.
Champions League: Napoli kampion, Inter, Atalanta, Juventus
Liga e Europës: Roma, Bolonja
Liga e Konferencës: Fiorentina
Seria B: Empoli, Venecia, Monza









