9 emra fitues kandidatësh për deputet më 11 maj janë me dosje në SPAK apo në proces gjykimi në GJKKO. Mandati i tyre është në dorë të drejtësisë dhe nuk është çudi të futen në Parlament ata që e humbën mandatin për shumë pak vota…
Zgjedhjet përfunduan dhe tashmë kemi 140 emrat e rinj që do të na përfaqësojnë në Kuvend duke nisur nga muaji shtator. Në PS ka plasur festa, teksa në PD po punohet për të denoncuar atë që ata e cilësojnë si “masakër zgjedhore”. Por duket se shumicës u ka shpëtuar një element: Lista e 140 fituesve mund të ndryshojë. Ndryshimi mund të vijë para ose pas shtatorit dhe këtë e ka në dorë SPAK.
Në qarkun e Tiranës, pati një luftë të fortë si në listën e PS ashtu dhe në atë të PD, pasi fituesit e fundit u ndanë për shumë pak vota. Por sinjalet janë se edhe ata që e humbën mandatin për një grusht votash, ndoshta mund ta prekin Parlamentin.
I pari që ka dhënë sinjalet është Myslim Murrizi, i cili doli i katërti më i votuar te lista e hapur e PD në Tiranë. Edhe pse nuk flet hapur për arrestime apo telashe me drejtësinë, Murrizi sinjalizoi dje në rrjetet sociale se vera do të sjellë ndryshime në lista dhe ai shpreson ta marrë mandatin.
“Kur kam deklaruar publikisht se shumë shpejt 7289 votues të lirë do të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament, as kam hamendësuar e as kam fluturuar si shumë delirantë politikë që ëndërronin se do t’i votonin qytetarët pse i mbështesnin pseudo-kryetarët që nuk kishin dhe nuk kanë asnjë peshë reale në degët e partisë që vegjetojnë si demek “kryetarë”.
Dhe unë kam bërë fushatë vetëm me qytetarët, pa vd cool dhe pa pirë kafe me asnjë “udhëheqës”, me “paparac” nga pas që t’u përcillja strukturave mesazhin që “udhëheqësi” vdes për mua.
Ehhhhh sa ujëra do të rrjedhin në këtë verë të “nxehtë”, sa do të habiten të gjithë hajdarët dhe hajdareshat që mashtrojnë sikur dinë shumë e dinë çdo gjë”, shkruan ai.
E vetmja mënyrë që të ndryshojë lista është përmes SPAK dhe GJKKO dhe në fakt te listat e PD në Tiranë ka shumë emra, që nuk i dihet nëse mbyllin dot mandatin e ri.
I pari është Fatmir Mediu. Gjyqi për Gërdecin po shkon drejt fundit dhe nëse Mediu shpallet fajtor, me shumë mundësi do t’i ndalohet të mbajë funksione publike dhe mund të humbasë mandatin. Kemi vetë Sali Berishën. Dosja “Partizani” u fut për gjykim dhe procesi padyshim do të zgjasë, por bën vaki mbyllet para vitit 2029.
Ndërkohë kemi dy emra të tjerë te lista e Tiranës që janë me dosje në SPAK, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi. Noka akuzohet për fshehje pasurie, ndërsa Këlliçi për falsifikime dhe fshehje të ardhurash. Madje është folur se mund të kemi dhe arrestime dhe nëse dikush bie në rrjetë, atëherë lista e Tiranës ndryshon totalisht dhe nuk është çudi të shohim në Kuvend Ali Mehmetin dhe Myslim Murrizin.
Por ndryshime mund të ketë dhe te lista e PS në Tiranë. Olta Xhaçka e mori për shumë pak vota mandatin, por është me dosje në SPAK. Për aferën e pronave në bregdet SPAK e amnistoi, por vijojnë hetimet për pronat e ushtrisë. Nuk është çudi të ketë masë sigurie.
Po ashtu kemi dhe disa emra të tjerë që janë me dosje si Ceno Klosi, Luan Baçi, Bardh Spahia apo Xhelal Mziu, të cilët nëse përballen me drejtësinë, mund të humbin mandatin dhe të futen emrat pasardhës.









