KOSOVA NE NGERÇ/ Dështon për herë të 21-të seanca e konstituimit të Kuvendit  

Ka dështuar sërish seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Për herë të 21 deputetët janë mbledhur sërish, por nuk pati kuorum për të votuar Komisionin për votim të fshehtë.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetje nga partitë tjera.

Këto të fundit i kanë kërkuar Vetëvendosjes që të ndryshojë kandidatin dhe të propozojë një emër më të pranueshëm për të gjithë.

Pas seancës së fundit, përfaqësues të partive politike konfirmuan qëndrimet e tyre të pandryshuara. Deputetja nga Vetëvendosje, Donika Gërvalla, akuzoi partitë opozitare për bllokadën në Kuvend, duke thënë se qytetarët nuk meritojnë që të pengohet puna dhe i bëri thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për të çuar përpara procesin.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj Albin Kurti, duke thënë se vendi është peng i qëndrimeve të tyre të forta. Ajo shtoi se PDK-ja është e gatshme të ofrojë alternativa për të zgjidhur situatën.