SULM ME BOMBE/ Situatë e nderë pas goditjes së një autobusi shkollor në Pakistan – raportohet për 5 të vdekur

Të paktën pesë persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me bombë ndaj një autobusi shkollor në rajonin e trazuar të Balochistanit në Pakistan.

Sulmi ndodhi mëngjesin e së martës rreth orës 07:40 (sipas orës lokale), në afërsi të qytetit Khuzdar, teksa autobusi po transportonte rreth 40 nxënës. Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë rrënojat e djegura të autobusit dhe çanta shkollore të shpërndara përreth.

Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për këtë akt të dhunshëm. Balochistani, një nga provincat më të varfra të Pakistanit, është përfshirë prej dekadash nga një kryengritje separatiste dhe përplasje të dhunshme me forcat qeveritare.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi, e quajti incidentin “barbarizëm të pastër”, duke akuzuar sulmuesit se synojnë fëmijët për të destabilizuar vendin. Autoritetet pakistaneze kanë akuzuar Indinë dhe aleatët e saj në Balochistan për organizimin e shpërthimit, megjithëse nuk janë paraqitur prova konkrete.

Ky sulm vjen në një kohë tensionesh të shtuara ndërmjet Pakistanit dhe Indisë, pas një konflikti dyjavor që u përshkallëzua nga një sulm ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India. India reagoi me sulme të drejtpërdrejta ndaj objektivave në Pakistan, ndërsa Islamabad mohoi çdo përfshirje në sulmet e para.