PARALAJMERIMI/ Partia Socialiste mbi 200 mijë vota para PD-së, Flamur Noka: S’do ta pranojmë humbjen, beteja vazhdon…

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar këtë mbrëmje se PD nuk do t’i njohë zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Pasi shifrat tashmë janë dukshëm në favor të Partisë Socialiste e cila kryeson me numër votash, Noka thotë se narkoregjimi i Ramës është instaluar fuqishëm.

“Ne këto zgjedhje nuk mund t’i njohim. Kur të arrish në këtë konkluzion duhet të sqarosh qytetarët se që në 2017 deri tani Rama dhe narkoregjimi i tij kanë ardhur vetëm duke u instaluar më fuqishëm, duke forcuar financiarisht makinerinë e tij elektorale. A ka pasur në Shqipëri votë të lirë?

Kurrë nuk dorëzohemi ne. Opozita bën një pjesë të detyrës së saj për të mbrojtur demokracinë por nuk mundet e vetme ta mbrojë atë. 

Vota në kuti nuk është prekur, dhe shpreh mirënjohje për komisionarët dhe numëruesit që po numërojnë çdo votë të demokratëve. Që unë të bëj një ushtri patronazhistë dhe të ndjek çdo qytetar… ku është SPAK, në diasporë u është kërkuar që t’ua çojnë me foto.”-tha Noka.

Rezultati final nga kutitë e votimit ende nuk ka dalë, ndërsa deri në këto momente janë numëruar 4346 kuti nga 5225 në total. Partia Socialiste kryeson me rreth 200 mijë vota para Partisë Demokratike.