Kur kanë kaluar gati 5 orë nga përfundimi i orarit zyrtar të votimit dhe kutitë e para kanë nisur të numërohen, në Tiranë dominon një klimë e qetë dhe një qetësi gati e habitshme. Edi Rama mësohet se ndodhet në godinën e Partisë Socialiste, kurse për Berishën nuk ka informacion.
Newsbomb.al mëson se kryeministri dhe i pari i Partisë Socialiste ka shkuar në ambientet e selisë te Rruga Çamëria prej pasdites dhe ndodhet atje me njerëzit e tij më të afërt.
Të majtët kanë ekipin e tyre të projeksioneve, dikur drejtohej nga Arbjan Mazniku, i cili konsiderohej “truri” i sondazheve të Partisë Socialiste, ndërkohë që tani nuk dihet se kush është në krye të këtij ekipi që bën përllogaritjet e veta përpara se të kemi një rezultat zyrtar.
Socialistët janë duke pritur hapjen e kutive të para në çdo qark, për të bërë më pas krahasimin me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 2021 dhe strategjinë që është ndjekur në bazë.
Ndërkohë, drejtuesit politikë të Partisë Socialiste nuk janë mbledhur në selinë rozë në Tiranë por po qëndrojnë në qarqet e tyre për “të ruajtur” votat dhe për të garantuar vazhdimësinë e rregullt të procesit të numërimit të votave.
Gazetarët që po ndjekin nga afër zhvillimet politike dhe zgjedhjet e 11 Majit, raportojnë se situata në Partinë Demokratike nuk është megjithatë aq e qetë se në PS. Sipas tyre, klima e qetë duket vetëm nga jashtë, sepse në ambientet e selisë te Rruga e Elbasanit të gjithë e kanë me nxitim sikur duket se duan të bëjnë diçka.
Sipas përditësimit të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ora 23:50, janë numëruar 12 kuti votimi nga 5225 kuti në total dhe bie në sy një epërsi e thellë e Partisë Socialiste. 63.51% të votave janë marrë nga PS dhe 28.63% të votave nga PD.









