KRIMI ELEKTORAL/ I biri kandidat për PS në Dibër. Babai punonjës policie shpallet në kërkim, i akuzuar për përdorim të armës së zjarrit dhe blerje vote

Zbardhen të tjera detaje nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune në Peshkopi. Mësohet se është shpallur në kërkim efektivi i policisë, Esat Gjura, i cili u ndalua nga kandidati i PD, Xhemal Gjunkshi, si i dyshuar për blerje votash.

Në largim e sipër pasi u kap nga kandidati i PD, efektivi i policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Burime bëjnë me dije se Esat Gjura është babai i kandidatit të PS, Daniel Gjura.

Policia njoftoi më herët në denoncimi është bërë nga kandidati i PD, Xhemal Gjunkshi se Esat Gjura po shpërndante para në këmbim të votave.

Raportohet se ka pasur edhe përplasje fizike mes grupeve të simpatizantëve të PD dhe PS në zonë. Sakaq, në njoftimin e policisë bëhet me dije se nën drejtimin e SPAK dhe të Prokurorisë, vijojnë hetimet për të zbardhur rastin në fjalë.