DEKLARATA E FORTE/ Pas takimit Putin–Xi Jingping: Rusia dhe Kina mbështesin një rend të ri botëror që nuk dominohet nga SHBA-ja

Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi sot para homologut të tij rus, Vladimir Putin, se dy vendet duhet të kenë një “miqësi të palëkundur”, teksa të dy liderët u angazhuan të forcojnë bashkëpunimin e tyre, duke e çuar atë në një nivel të ri, në një periudhë përplasjesh të forta me Perëndimin.

Gjatë bisedimeve në Kremlin, të dy liderët u prezantuan si mbrojtës të një rendi të ri botëror që nuk do të dominohet më nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Xi ishte lideri më i fuqishëm nga mbi 20 udhëheqës të huaj që vizituan Moskën këtë javë për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Kremlini, Rusia dhe Kina theksuan se synojnë të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për të përballuar vendosmërisht përpjekjet e SHBA për të kufizuar të dyja vendet.

Në deklaratat e tyre, Xi tha se pati “diskutime të thella, të përzemërta dhe të frytshme” me Putinin në Moskë për “shumë çështje të rëndësishme”. “Sapo pata diskutime të thella dhe të frytshme me presidentin Putin. U dakorduam për shumë çështje të reja dhe të rëndësishme.”

Putin theksoi se pati bisedime “shumë produktive” me homologun kinez, të cilat do të “thellojnë” marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit, aleatë kundër Perëndimit, e veçanërisht kundër SHBA. Kina dhe Rusia duhet të mbrojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe të jenë “miq të çeliktë që kanë kaluar përmes qindra provash me zjarr”, deklaroi Xi, ndërsa të dy vendet pohuan se do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak.

Të dy vendet duhet të forcojnë themelin e bashkëpunimit të tyre dhe të “eliminojnë ndërhyrjet e jashtme”, theksoi presidenti kinez, në një kohë kur Pekini është përfshirë në një luftë tregtare me SHBA, e nisur nga presidenti Donald Trump. Presidenti rus mirëpriti “mikun e tij të dashur” Xi Jinping në Kremlin, duke thënë se të dy liderët do të mbikëqyrin personalisht të gjitha aspektet kryesore të marrëdhënies, me synimin për të dhënë një shtysë të konsiderueshme në tregti dhe investime deri në vitin 2030. Në fjalimin e tij të hapjes, pas përshëndetjes së Xi në një nga sallat më luksoze të Kremlinit, Putin e falënderoi atë që erdhi në Moskë për të marrë pjesë në festimet për 80-vjetorin e fitores së “shenjtë” kundër Adolf Hitlerit.

“Fitorja kundër fashizmit, e arritur me kosto sakrificash të mëdha, ka rëndësi të përjetshme”, deklaroi presidenti rus. “Bashkë me miqtë tanë kinezë, qëndrojmë të vendosur në të vërtetën historike, mbrojmë kujtesën e ngjarjeve të luftës dhe kundërshtojmë shfaqjet moderne të neonazizmit dhe militarizmit.” Xi tha se të dy vendet, si fuqi globale dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të bashkëpunojnë për të përballuar “qasjen unilaterale dhe frikësimin” – një referencë indirekte ndaj SHBA-së.

Rusia dhe Kina kanë rritur ndjeshëm lidhjet e tyre që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, deri në atë pikë sa Perëndimi e akuzon Pekinin se është një faktor kyç në përpjekjet luftarake ruse, duke ndihmuar Moskën të shmangë sanksionet ndërkombëtare.

Të dy vendet e bazojnë partneritetin e tyre në kundërshtimin ndaj Perëndimit, dhe në veçanti ndaj SHBA-së, të cilat i akuzojnë për imponimin e hegjemonisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Putin dhe Xi shprehën bindjen se konflikti mund të zgjidhet vetëm duke eliminuar “shkaqet e tij rrënjësore”, sipas Kremlinit.

Xi mbërriti dje në Moskë dhe u prit ngrohtësisht në Kremlin nga Putin dhe një delegacion rus i përbërë nga zyrtarë të lartë qeveritarë dhe drejtues të bizneseve të mëdha ruse. Mes tyre ishin drejtori i agjencisë ruse për energjinë bërthamore Rosatom, drejtuesi i gjigantit të hidrokarbureve Rosneft dhe guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë.

Presidenti kinez do të marrë pjesë së bashku me Putinin në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq për të shënuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Ushtarë kinezë do të marrin pjesë në paradë.