Ndërsa na ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet parlamentare, kryeministri Edi Rama dhe ekipi i tij në Partinë Socialiste kanë bërë projeksionet e tyre për rezultatin që do sjellë vota e qytetarëve më 11 Maj.
Nga restoranti i vogël në Kuç të Vlorës, i cili tanimë dihet dhe si vendi “oguri i mbarë” për kreun e qeverisë, Rama nënshkroi “Memorandum 2”, ku në skenarin më të keq merrnin 78 mandate, ndërsa në atë më të mirin, plot 88 mandate.
E lidhur me këtë parashikim, nuk ka “shpëtuar” pa u pyetur as ish-kryeministri Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, Berisha refuzoi që të jepte shifrat e tij, por një mesazh të qartë e përcolli për kreun e qeverisë duke thënë kështu se parashikimi i tij është largimi i Ramës nga qeveria.
“Planet e Edi Ramës janë plane krejtësisht qesharake. Edi Rama është në ditët e fundit në atë zyrë dhe i t hem që shqiptarët të kanë prerë biletën. Të pret Mc Gonigal, mezi po të pret me të cilin je i lidhur si sijamez në shtyllë vertebrore me atë”, tha Berisha.









