REAGIM/ Ish-mbështetësja e Berishës tregon prapaskenat e dhunës në Elbasan: Sherri ndodhi mes djalit të Luçiano Boçit dhe kandidates së PD-së

Ish-mbështetësja e kryetarit të Partisë Demokratike, Alesia Balliu ka ardhur me një reagim në rrjetet sociale ku dhe ka komentuar ngjarje ne ndodhur një ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku një grup të rinjsh, mes tyre edhe djali i Luçiano Boçit u përfshinë në një konflikt të dhunshëm.

Sipas Balliut dhuna e regjistruar mbrëmë në Elbasan, përveçse ishte një incident i shëmtuar, është dhe pasqyra tronditëse e gjendjes së brendshme të Partisë Demokratike.

Ajo thotë se në sherr u përfshi djali i Boçit, Paridi, me një të afërm të një tjetër kandidati demokrat në këtë qark.

“Ajo që ndodhi në Elbasan, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, nuk ishte vetëm një incident i shëmtuar, por një pasqyrë tronditëse e gjendjes së brendshme të kësaj force politike. Dhuna mes djalit të Luçiano Boçit dhe një të afërmeje të kandidatit të Partisë Demokratike nuk është thjesht një konflikt personal — është dëshmia më e qartë se kur humbet busulla politike, humbet edhe kontrolli mbi sjelljen, mbi mesazhin dhe mbi njerëzit”, shkruan Balliu, ndërkohë që më tej thekson faktin se është e dhimbshme se si një forcë politikë si Partia Demokratike që diku përfaqësonte shpresën ëpr ndryshim, sot përfaqësohet nëpër media me pamje dhune.

Postimi i plotë:

Nuk Fitohet me Dhunë, Z. Luçiano Boçi!

Ajo që ndodhi në Elbasan, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, nuk ishte vetëm një incident i shëmtuar, por një pasqyrë tronditëse e gjendjes së brendshme të kësaj force politike. Dhuna mes djalit të Luçiano Boçit dhe një të afërmeje të kandidatit të Partisë Demokratike nuk është thjesht një konflikt personal — është dëshmia më e qartë se kur humbet busulla politike, humbet edhe kontrolli mbi sjelljen, mbi mesazhin dhe mbi njerëzit.

Është e dhimbshme të shohësh që një parti që dikur përfaqësonte shpresën për ndryshim, sot përfaqësohet në media me pamje grushteve e përplasjeve. Por kjo nuk vjen rastësisht. Kjo është fryt i një mënyre të sëmurë drejtimi, i një përpjekjeje për të mbajtur pushtetin në dorë me çdo kusht, duke përdorur gjithçka — edhe ndërhyrjen brutale në proceset e brendshme siç ishte rasti i primareve. Luçiano Boçi, në vend që të mbështeste një garë të hapur, transparente e demokratike, zgjodhi të fusë duart në proces, të ndikojë me emërime dhe të thellojë përçarjen.

Sot PD është e përçarë jo vetëm në Elbasan, por edhe në Shkodër — dy qytete të rëndësishme për historinë e së djathtës. Të dyja të lëna në një situatë kaosi organizativ, konfliktualiteti dhe mungese besimi. Si mund të ofrosh shpresë për shqiptarët kur s’mund të ofrosh qetësi, drejtësi dhe bashkim brenda shtëpisë tënde?

E djathta nuk fiton me dhunë. As me pazare, as me përçarje. E djathta fiton kur është e ndershme me anëtarët e vet, kur është e hapur me shoqërinë, dhe kur është e aftë të përfaqësojë vlerat konservatore me qytetari, me kurajo dhe me përkushtim.

Koha e njerëzve që duan të sundojnë PD-në si pronë private ka marrë fund. Dhuna që shpërthen nga rrënjët e padrejtësisë është një kambanë alarmi. Dhe në këtë alarm, nuk është vetëm Partia Demokratike që rrezikon, por edhe vetë ideja e një opozite të fortë, të përgjegjshme dhe të gatshme për të marrë përgjegjësi nesër.

Luçiano Boçi duhet ta kuptojë: nuk fitohet me dhunë. Dhe sigurisht, nuk fitohet as me frikë. Shqiptarët duan shpresë — jo sherr. Bashkim — jo grushte.