SHKRIHEN AKUJT/ Kanadaja dhe SHBA drejt bashkëpunimit; kryeministri kanadez, Carney: Javën e ardhshme do të takohem me Donald Trump

Mark Carney ka zhvilluar këtë të premte një konferencë për shtyp, një paraqitje kjo e parë publike që kur Partia e tij Liberale fitoi një mandat të katërt në zgjedhjet federale të Kanadasë në fillim të kësaj jave.

Gjatë fjalës së tij, ai thotë se do të takohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të martën në Uashington DC.

Carney thotë gjithashtu se Mbreti Charles III do të mbajë një fjalim nga Froni në Parlamentin e Kanadasë më 27 maj. Pjesëmarrja e Mbretit në kthimin e Parlamentit “nënvizon sovranitetin e vendit tonë”, thotë Carney

Fushata e tij zgjedhore u përqendrua në kundërshtimin e planeve tarifore të Trump dhe kërcënimeve për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së, gjë që Carney ka thënë se “nuk do të ndodhë kurrë”.

Liberalët fituan 168 vende nga 343 në Dhomën e Komunave të Kanadasë në zgjedhjet e së hënës, të mjaftueshme për të formuar një qeveri minoritare, por pa arritur 172 vendet e nevojshme për një shumicë.