VEPRIMTARIA/ Papa i parë joevropian në shekuj; Kush ishte reformatori Papa Françesku

Papa Françesku ndërroi jetë të hënën, një ditë pas Pashkës, në moshën 88-vjeçare.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropësn që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.

Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.

Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.

Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.

Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.

Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.

Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.

Ai u përpoq të reformonte kishën duke trajtuar mentalitetet elitare mes klerit, duke kërkuar një qasje të dhembshur ndaj katolikëve të divorcuar dhe homoseksualë dhe duke këmbëngulur që kisha t’i mirëpresë të gjithë.

Ai mori një sërë masash për të pastruar korrupsionin financiar në Vatikan dhe për të trajtuar plagën e abuzimit seksual të klerikëve, duke përfshirë ligje për t’i mbajtur peshkopët përgjegjës për fshehje. Françesku kërkoi gjithashtu një rol të zgjeruar për gratë që punonin në Vatikan dhe autorizoi priftërinjtë për të ofruar bekime për çiftet e të njëjtit seks.

Ai ndërtoi ura me botën myslimane, ndërkohë që kërkoi të luante rolin e paqebërësit përballë konflikteve globale, veçanërisht në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Reformat e tij e përballën me rezistencë të paparë nga ultra-konservatorët brenda kishës, megjithëse katolikët përparimtarë mendonin se ai duhej të kishte shkuar më tej në lejimin e shugurimit të burrave të martuar si priftërinj, duke zhvendosur mësimet zyrtare mbi homoseksualitetin dhe duke i dhënë një hapësirë ​​më të madhe grave në shërbim.

Pavarësisht se mori një sërë masash të ashpra, Françesku gjithashtu nuk arriti të shuante skandalin e abuzimit seksual të fëmijëve dhe formave të tjera të abuzimit që kanë pllakosur Kishën Katolike – një turp që ai bëri përgjegjësinë e tij personale t’i jepte fund, por që vazhdoi të dëmtonte kishën institucionale në shumë vende gjatë gjithë papatit të tij.

Më 2025, ai publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.

Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.

Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.