FESTA E DYFISHTE/ Vora zyrtarisht kampione, Flamurtari në Superligë pas pesë vitesh

Këtë të diel, Vora u shpall zyrtarisht kampione e Kategorisë së Parë, duke siguruar ngjitjen në Superligë, pavarësisht humbjes në shtëpi me rezultatin 0-1 ndaj Flamurtarit.

Nga ana tjetër, Flamurtari me këtë fitore siguroi ngjitjen e tij në Superligë, pas një periudhe të gjatë pritjeje. Goli i Ememe vulosi fitoren dhe triumfin e vlonjatëve.

Pas pesë vitesh, Flamurtari kthehet në elitën e futbollit shqiptar, duke mbushur me gëzim tifozët e klubit.

Besa fitoi 1-3 kundër Valbonës, por kjo fitore nuk i garantoi ngjitjen direkte në Superligë duke bërë që Kavajasit të kërkojnë mundësinë e ngjitjes përmes ‘play-off’-it.

Po ashtu, skuadrat që renditen në vendin e katërt, të pestë dhe të gjashtë, Burreli, Pogradeci dhe Apolonia, do të përballen në ‘play-off’ për të siguruar një vend në elitë.

Valbona dhe Erzeni ranë direkt në Kategorinë e Dytë, ndërsa Kukësi dhe Kastrioti do të përballen në një ndeshje ‘play-out’ për të siguruar mbijetesën në këtë kategori.

Manfredas Ruzgis i Vorës u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 24 gola të shënuar gjatë këtij sezoni.