Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vizitoi këtë të premte qytetin e Kamzës, ku prezantoi kandidatët për deputetë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Në këtë dalje publike, Berisha dha sinjale të qarta për një rifreskim të imazhit të tij politik, duke reflektuar qasjen e re të këshilltarit amerikan Chris LaCivita. Në përpjekje për të tejkaluar perceptimin e një figure të vjetër politike, ai u shfaq ndryshe nga zakonisht: me një kapele të zezë që mbante të qepur numrin 1 – numri me të cilin PD-ASHM garon në fletën e votimit. Ndërsa paradite u shfaq në Krujë veshur me qeleshe.
Tani mbetet të shohim se cilën nga dy kapelet do mbajë vënë në vijimësi. Kjo ishte hera e parë që Berisha zgjodhi një simbolikë të tillë në një tubim elektoral, një lëvizje që synon të rigjallërojë energjinë brenda elektoratit demokrat. Mbetet të shohim gjithashtu, nëse vallë kapela të ketë qënë problemi i opozitës?!









