Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për të dytën herë këtë të enjte. Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari tha se nuk pati konsensus në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.
Mbledhja konsultative u bë me qëllimin për të arritur në proceset e mëtejshme vendimtare.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.
Në mbledhjen e konsultimeve ishin 100 deputetë të pranishëm, ndërkaq, konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.









