Partia Socialiste nesër në orën 12:00 nis zyrtarisht fushatën elektorale. Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Sy m’Sy” bëri dje me dije se do të startojë me një cikël takimesh.
“Ne do të nisim fushatën me një cikël takimesh që do zhvillohen në të njëjtën kohë, natyrisht në këtë cikël ne do jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat. Le të vazhdojmë ndërkohë me të sotmen dhe me çastin”,- u shpreh shkurtimisht ai.
Pritet që socialistët të mblidhen në sheshin “Skënderbej” për një takim festiv për “Shqipërinë 2030”, në datën që sipas Ramës ka një simbolikë tejet të veçantë. Jo vetëm një fitore të 4-t për socialistët, por edhe një epërsi numerike bindëse është parashikimi i Edi Ramës për zgjedhjet e 11 majit.
“Do të fitosh 77 deputetë? Mund të jenë edhe më shumë. Do ta shkruaj atje te lokali në Kuç ku herën e kaluar kam lënë rezultatin”, – u shpreh Edi Rama.
Nga dritarja virtuale “Sy më sy”, kritikëve që i kujtojnë humbjen, përgjigjen ua ktheu me shprehjen e tij të preferuar. “Mos e cysni Nocin se sa më shumë e cysni aq më shumë do t’iu dhëmbë më 11 maj. Prisni, duroni 30 ditë dhe pastaj do ta shihni se kujt do t’i trokasë Noci te dera. E dhimbshme do jetë”, – theksoi Rama.
Në këtë dalje një mesazh pati edhe për demokratët. “Ore mos votoni kurrë për mua e PS, por si mund të shkoni pas një të urituri që i fiket llamba 3 herë në ditë tanimë se edhe mosha tepër e thyer bën të vetën, që i ka sjellë këtij vendi halle, rrëmuja e turbullira. Rrini në shtëpi, por të dalësh e të hedhësh votën në kënetë uaa!”, – u shpreh kryeministri.
Dhe për të treguar epërsinë e tij përpara kundërshtarit, sërish preferon të flasë me shifra. “0 shanset që këneta të bindë shumicën që nuk është kënetë. “Bufi i kënetës” apo moçalishtet e reja që bëjnë të njëjtat lloje zotimesh të njëjtën gjuhë, të njëjta metoda, mllef, mllef…”, – deklaroi ai.
Pa ironizuar nuk la edhe “zbritjen në qytet të sherifit” Chris LaCivita, që do të drejtojë fushatën e opozitës në këto zgjedhje. “Do ta shohësh kush do të zbresë e kush do të bjerë.”
Kryeministri njoftoi edhe vizitën e homologut britanik në Shqipëri para Samitit të Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në 16 Maj në Tiranë. “Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare, ka ardhur vetëm një herë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale”, – theksoi Edi Rama.
Kryeministri teksa prezantoi kandidatët për deputetë në Durrës u ndal tek rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rama u shpreh se unioni evropian nuk është thjesht çështje lirish e të drejtash të garantuara, por ka të bëjë në raportin e vendit me vetveten dhe të tjerët. Ai cilësoi se futja në BE siguron statusin e qytetarit evropian.
Sipas kreut të qeverisë, nëse Shqipëria futet në BE, një student, i cili vendos të ndjekë studimet akademike në vendet e këtij unioni, nuk do të ndihet i huaj, por i barabartë si të gjithë të tjerët. Kryesocialisti tha, gjithashtu, se shqiptarët kanë lirinë e lëvizjes, por jo lirinë e qëndrimit, e cila do të mund të arrihet vetëm me anëtarësimin tonë në BE, sipas tij. Një këshillë pati Rama për kandidatët e PS-së së Durrësit, që të mund të mbledhin sa më shumë të rinj që të votojnë për këtë forcë politike, teksa i mëshon sërish rëndësisë së anëtarësimit në BE. Ai u shpreh se PS është në vendin dhe kohën e duhur për negocitatat me BEnë. “Shqipëria do hyjë në BE si rezultat i votës më 11 maj për PS”,-u shpreh kreu i qeverisë.









