Kryeministri spanjoll do të jetë lideri i parë evropian që takohet me presidentin kinez Xi Jinping pas shpalljes së tarifave amerikane.
Para këtij takimi, Sanchez i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë strategjinë e tij ndaj Kinës, në vazhdën e zhurmës mbarëbotërore të shkaktuar nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa për pothuajse të gjitha vendet.
Duke folur me gazetarët pas mbërritjes së tij në Vietnam për një vizitë zyrtare tre-ditore, Sanchez theksoi se Evropa duhet të ripërcaktojë politikën e saj për të gjetur partnerë dhe tregje të reja, duke pasur parasysh zhvillimet në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Siç vuri në dukje ai, rregullimi ka të bëjë edhe me Evropën ndaj Kinës, por edhe me Kinën ndaj Evropës.
Kryeministri spanjoll do të takohet të mërkurën me presidentin vietnamez Luong Quang dhe kryeministrin Pham Minh Chinh , ndërsa të nesërmen do të marrë pjesë në një aktivitet biznesi. Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri spanjoll në Vietnam.
Megjithatë, vëmendja tashmë po kthehet në fazën e dytë të udhëtimit të tij në Azi, pasi Sanchez pritet të vizitojë Pekinin më 11 prill, ku do të takohet me Presidentin Xi Jinping – duke u bërë lideri i parë evropian që e sheh atë që nga shpallja e tarifave amerikane.
Edhe pse udhëtimi ishte planifikuar para vendimit të Trump për vendosjen e tarifave globale, buja që shkaktoi e ka bërë takimin të një rëndësie të madhe.









