Tregjet e aksioneve në Azi, Evropë dhe SHBA ranë ndjeshëm në përgjigje të politikës tarifore të Trump, me tregun amerikan që po përballet me shtrirjen më të keqe dyditore që nga viti 2020.
Kur tregu u mbyll në SHBA, S&P 500 ra me 5.98%, Dow 30 ra 5.5% dhe Nasdaq 5.82
Kina – e cila përballet me një taksë importi prej 54%, tha se do të vendoste një tarifë hakmarrëse prej 34% për mallrat amerikane duke filluar nga 10 prilli.
Megjithë reagimin e tregut, Trump mbeti i vendosur dhe këmbënguli se “politikat e tij nuk do të ndryshojnë kurrë” përpara se të kritikonte hakmarrjen e Kinës, duke thënë se ata “e kanë luajtur gabim, i ka zënë paniku”.
JP Morgan rriti shanset e saj për recesion global në 60% këtë pasdite – parashikimi i mëparshëm i bankës së investimeve në mars ishte 40%.
Trump i kërkoi gjithashtu shefit të Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, të ulë normat e interesit. Duke folur në një ngjarje, Powell tha se tarifat e Trump janë “dukshëm më të mëdha se sa pritej” dhe ai pret inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadaltë si rezultat
Kina u bë vendi i parë që kundërpërgjigjet me tarifa hakmarrëse për të gjitha importet nga Shtetet e Bashkuara, duke e çuar në një tjetër nivel përshkallëzimin e një lufte tregtare tashmë të tensionuar.
Duke nisur nga e enjtja e ardhshme, mallrat amerikane që hyjnë në Kinë do të përballen me një taksë prej 34 për qind, shkruan bbc.
Ministria kineze e Tregtisë njoftoi gjithashtu se do të forcojë kontrollin mbi eksportet e mineraleve të rralla – materiale të domosdoshme për prodhimin e teknologjisë së lartë, përfshirë çipat kompjuterikë dhe bateritë për automjetet elektrike.
Ndër mineralet që do t’i nënshtrohen këtyre kontrolleve janë edhe përbërjet e samarimit, të cilat janë thelbësore për industrinë ajrore dhe atë të mbrojtjes.
Pekini gjithashtu ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me këto tarifa.
Ende mbetet e paqartë nëse vendet e tjera do të ndërmarrin masa të ngjashme, por kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se një “luftë tregtare në shkallë të gjerë do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme”.
Në SHBA, tregjet financiare u përballën me luhatje të ndjeshme. Edhe pse një raport i ri mbi punësimin doli më i fortë se pritshmëritë, stoqet në Wall Street ranë që në hapjen e së premtes në mëngjes, duke shënuar ditën e dytë radhazi me humbje në bursën e New Yorkut.









