Seanca paraprake per dosjen “Partizani” është shtyrë për t’u mbajtur më 11 prill 2025, datë e cila rastësisht apo jo korespondon me ditën e hapjes së fushatës elektorale.
Sali Berisha akuzohet për privatizim të kompleksit “Partizani” bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Ish-kryeministri, u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.
Akuzat e SPAK për dosjen Partizani
Në dosjen prej 500 faqesh thuhet midis të tjerash, se biznesmeni Fatmir Bektashi, i vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në territoret e dy klubeve sportive Partizani.
Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve si dhe ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva sipas SPAK, ishte Sali Berisha.
Në dosje thuhet se kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, janë realizuar nëpërmjet dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi. Për këtë arsye, SPAK thekson se Sali Berisha aokohe në detyrën e kryeministrit, rezulton të ketë realizuar përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblim nëpërmjet vajzës së tij Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.
Nga ana tjetër, Malltezi me anë të korrupsionit pasiv siç pretendon organi i akuzës, nëpërmjet transaksioneve të fshehta, i ka treguar shtetasit Fatmir Bektashi por edhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të bashkëpunonin duke vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre.









