EFEKTI NE BIZNES/ Dyshimet se Elon Musk mund të largohet së shpejti nga drejtimi i DOGE, solli rritje aksionesh të Teslas

Aksionet e Tesla-s, e cila është në pronësi të Elon Musk, janë rritur ndjeshëm në orët e fundit, pas një artikulli të Politico, ku thuhet se miliarderi do të largohet nga drejtimi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), i cili u formua me qëllim të shkurtimit drastik të shpenzimeve qeveritare.

Sipas mediave amerikane, aksionet e Tesla u rritën deri në 4%, ndërsa deri pak orë më parë kishin rënë deri në 6.4% për shkak të vlerave të ulëta në shitjet globale të automjeteve të kompanisë.

Nga viti i kaluar deri më sot, ajo ka rënë me më shumë se 31%. Aksionet ranë gjithashtu 36% në tremujorin e parë, duke shënuar rënien e tyre më të madhe tremujore që nga viti 2022.

Screenshot 2025-04-02 182249

Roli i Musk në Shtëpinë e Bardhë është një faktor që rëndon mbi aksionet e Tesla-s. Ajo ka ndezur valë protestash, bojkote dhe sulme të dhunshme në dyqanet dhe automjetet e Tesla në mbarë botën. Tarifat e automobilave të Trump janë gjithashtu një shqetësim, pasi ato përfshijnë furnizuesit kryesorë të Tesla, veçanërisht në Meksikë dhe Kinë.

Sipas raportit të Politico, vetë Donald Trump ka informuar anëtarët e kabinetit të tij dhe bashkëpunëtorët e tjerë të ngushtë se Musk së shpejti do të largohet nga roli i tij në qeveri.

Bashkëpunëtorë të presidentit amerikan të cituar nga Politico, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se vendimi për t’u larguar është marrë së bashku me vetë Musk.