Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse çdo të martë dhe të enjte i ka kthyer një për një përgjigje të gjithë qytetarëve të cilët kanë lënë komentet e tyre në platformën e kreut të qeverisë në “Facebook”.
Edhe këtë komunikim të sotshëm me qytetarët, kryeministri Rama e ka shfrytëzuar duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që më 11 Maj të votojnë Partinë Socialiste, të votojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, kryeministri ironizoi edhe opozitën pas akuzave se i ka kopjuar programin.
“Iu qajnë hallin pensionistëve dhe që iu kopjua programin. Gjëja më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë Kod atomik. A thua se bëhet fjalë për ndonjë Kod kasafortë, të ndonjë sekreti, Kodi i Davinçit. Megjithëse iu qajnë hallin pensionistëve, nuk janë kontributin e tyre për Fondin e Sigurimeve Shoqërore, deri këtu është niveli i banaliteti dhe hipokrizisë dhe krijesave kënetore”, u shpreh kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij, Rama bëri me dije dhe një tjetër fakt. Duke e shprehur dhe njëherë që Partia Socialiste është një forcë politike që i mirëpret të gjithë dhe përqafon prurjet e reja, kryeministri tha se të shumtë kanë qenë ata demokratë, që kishin marrë pjesë madje dhe në Primaret, të cilët të zhgënjyer i kanë shkruar për tu bërë pjesë e socialistëve.
“Kam pasur kontakte të tjera me të tjerë në qytete të tjera. I vlerësoj i respektoj, janë të mirëpritur të gjithë, kemi një sërë individësh që kanë zhvilluar edhe primare që na kanë kontaktuar, Nga ato primaret e famshme dhe të tmerrshme, ato primaret që thonë gjithçka në fakt se jo vetëm ujku por edhe bufi që i merr puplën po zakonin nuk e harron. Bëhet fjalë për bufi ne kënetës”, tha Rama.









