Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Kretë, theksoi se shqiptarët nuk duhet të presin pafund për dokumentet greke apo marrëveshjen e pensioneve, por më 11 maj të votojnë për forcën e duhur për të marrë pasaportën e BE.
Rama tha se emigrantët shqiptarë në Greqi, nuk do të kenë nevojë për pasaportë greke po u integrua Shqipëria në BE.
“Dje flinit nëpër fusha dhe ju jepnin lëmoshë, sot ju shkoni në shtëpitë tuaja, sot fqinjët tuaj rreth e rrotull, po sidomos këta këtu nuk ju shohin më nga lart poshtë dhe nuk kanë më asnjë shans që t’ju përbuzin, se nuk jeni më të detyruar ti thoni mirëmëngjes edhe kur ju thonë plaç. Kjo e juaja është ekzaktësisht historia e rivendosjes së emrit Shqipëri dhe shqiptarë aty ku e meriton, historia e vendosjes së reciprocitetit të respektit të ndërsjellë dhe detyrimit për ti respektuar kur i respektojmë në marrëdhëniet e çdo fqinji të çdo shteti tjetër”, tha Rama.
Duke iu drejtuar emigrantëve shqiptarë, Rama tha se është në dorën tuaj vota e 11 majit dhe brenda kësaj dekade të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.
“Në momentin që të gjithë bashkë keni pasaportën shqiptare bëheni jo vetëm të barabartë, por edhe po aq sa edhe grekët sa edhe çdo europian tjetër, subjekt i të gjitha shërbimeve që ky vend i jep shtetasve të vet. Dhe të gjithë ata që sot janë këtu prindër dhe kanë fëmijët e tyre të vegjël, që një ditë presin t’i çojnë në universitet në momentin që kanë pasaportën europiane nuk kanë nevojë për pasaportën greke që të jenë njësoj si fëmijët grekë apo fëmijët e tjerë student europian dhe jo studentë të huaj në Europë. Prandaj sa i përket jetës suaj këtu dhe të ardhmes suaj këtu dhe peripecive që keni kaluar për gjithë çfarë lloj arsyesh, ka një përgjigje, është në dorën tuaj vota e 11 majit dhe brenda kësaj dekade të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, tha kryeministri.
Ai iu kërkoi shqiptarëve të kthehen në vend për të investuar.
“Për të gjithë ata që kanë një tokë në fshat apo një shtëpi të rrënuar të gjyshit në fshat apo kanë të afërm në fshat ku mund të behet një investim, kemi kaluar në parlament ekzaktësisht për emigrantët një ligj që thotë, se çdokush që zotëron një tokë për të cilën mund të mos e ketë akoma dokumentin e pronësisë ama ka dëshmitarët e mjaftueshëm në fshat atje që është toka e të parëve, mund të marrë një vërtetim dhe mund të marrë leje për të rindezur oxhakun në shtëpinë e gjyshit dhe për ta kthyer shtëpinë e gjyshit në një agroturizëm apo për të investuar atje në çfarëdolloj rruge. Për cilin do prej jush që do të kthehet ose të investojë, ligji thotë se për 500 aplikantët e parë, janë 10 vite pa taksë dhe pa tvsh, asnjë detyrim ndaj shtetit. Unë e di që ky ishull ka një turizëm të zhvilluar por të gjithë ata që presin sezonin këtu, i ftoj të interesohen dhe në Shqipëri, të pyesin si janë pagat. Nuk kanë nevojë të më besojnë mua, mjaftojnë të interesohen dhe të shikojnë. Ju del më mirë atje sesa këtu, megjithatë kjo është në dorën e secilit të interesohet. Për të mbështetur investimet në fshat, BSH ka hapur dhe një linjë kredie dhe cilido që do të ketë akses, që ka interesa më pak se 3% është i ftuar ta bëjë. Pyesni ata që e kanë bërë, ka shembuj si ju që nga Greqia Anglia Italia deri dhe nga Amerika janë kthyer dhe kanë bërë këto që po them dhe të gjithë thonë këtu del më mirë llogaria”, tha Rama.









