Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës, shkruan “Bota sot”.
Në një mbledhje, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.
E ndaj certifikimit të rezultateve ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai në rrjetin e tij social, Facebook publikoi një hartë të Kosovës, në të cilën shfaqeshin përqindjet e subjekteve politike nëpër komuna.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, shkroi Kurti, përcjell “Bota sot”.

Harta e publikuar nga Albin Kurti
Ky duket të jetë një paralajmërim i kreut të LVV-së për partitë e tjera politike, në lidhje me zgjedhjet lokale.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind. Në vendin e katërt u rendit koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.









