Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Teksa flet për KosovaPress për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.
Mandl: Të vendoset diçka në tryezë nga secila palë
“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare. Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.









