Të dielën e tretë të Kreshmës së Madhe, në Ditën e Faljes së Kryqit të Nderuar, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, Kryepiskopi i sapozgjedhur i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, udhëhoqi Liturgjinë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në qytetin e Korçës.
Kj shërbesë u cilësua si një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, ndërsa morën pjesë anëtarë të hierarkisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, klerikë, besimtarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët pritën me nderim dhe dashuri Fortlumturinë e Tij. Për më shumë se njëzet vjet, Imzot Joani ka shërbyer me përkushtim dhe përulësi në krye të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, duke lënë një trashëgimi të vyer shpirtërore
Përmes një mesazhi prekës, Imzot Joani falënderoi besimtarët korçarë për dashurinë dhe mbështetjen ndër vite, ndërsa shprehu bekimin e tij për udhëtimin e përbashkët të besimit në mbarë Shqipërinë.
“Zoti thotë të mohojmë veten. Kur Zoti thotë të mohojmë veten, atë pseudo vete, atë vete që krijohet tek vetja jonë nga pasionet, krenaritë, zilirat, gjithçka që e transformon në të keq. Gjithçka që kemi ne, vetja jonë e vërtet është thellë brenda nesh, edhe duke mohuar, pseudoveten ne do zbulojmë veten tonë, dhe do zbulojmë veten tonë të vërtet. Edhe duke zbuluar atë kemi zbuluar perëndinë, edhe perëndia do t’i jap botës tonë gëzim të jashtëzakonshëm. E ndriçim shumë të madh. Ne sot jetojmë në një errësirë shpirtërore .”
Liturgjia nisi me shërbesën e mëngjesit në orën 07:30 dhe vijoi deri në mesditë, ku përreth katër orë besimtarët qëndruan të përkushtuar në lutje dhe përjetim shpirtëror. Prania e Kryepiskopit të ri u përjetua si një moment simbolik dhe frymëzues për të gjithë komunitetin ortodoks.
Kryepeshkopi i porsazgjedhur Imzot Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepeshkop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vjet si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepeshkopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë.
Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën “Tempulli”, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar.









