DEKLARATA E KRYEMINISTRIT/ “Keni dëgjuar për Altin Dumanin?” Rama nga Vlora ja atribuon vetes reformën e drejtësisë

Kryeministri Edi Rama nga Vlora ka komentuar sërish pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë  ka ritheksuar se është Partia Socialiste ajo e cila ka ndërmarrë reformën në drejtësi dhe se kjo është një ndër hallkat më të rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane.

Duke u distancuar nga të gjitha akuzat që qeveria Rama kontrollon Prokurorinë e Posaçme, kryeministri u shpreh se ata ia kanë dorëzuar “shpatën” dhe është në duart e tyre që të vendosin drejtësi dhe as ai vetë, por dhe “të tijtë” nuk “e imagjinojnë të ndërhyjnë” pasi “e kanë ndarë mendjen për një drejtësi të pavarur”.

“Këtu janë vrarë njerëz, nuk keni dëgjuar që është një Altin Dumani që i thirri këta. Kur këtu janë vrarë njerëz në protestë, i pari qeverisë u dha urdhër policisë i tha mos i zbatoni urdhrat e prokurorisë. Nuk u zbatuan urdhrat, a e imagjinoni sot të ndal urdhrat e prokurorisë të Altin Dumanit unë? Nuk i imagjinoni dot vetëm për arsye sepse ne e kemi ndarë mendjen t’i japim këtij vendi një drejtësi të pavarur. Jemi ne që e kemi ndërmarrë reformën në drejtësi dhe e kemi shkruar në program”, tha Rama ndër të tjera, teksa më tej u ktheu përgjigje të gjithë atyre që thonë se shumë zyrtarë socialistë janë përballë drejtësisë.

“Është për të ndëshkuar më të fortët dhe prandaj ata që thonë socialistët janë nëpër burgje, na marrin të keqen. Ata që përballen me drejtësinë janë me gishtat e dorës, ne që luftojmë për drejtësinë mund të bëhemi ndoshta dhe 1 mln”, tha kreu i qeverisë.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Këtu janë vrarë njerëz, nuk keni dëgjuar që është një Altin Dumani që i thirri këta. Kur këtu janë vrarë njerëz në protestë, i pari qeverisë u dha urdhër policisë i tha mos i zbatoni urdhrat e prokurorisë. Nuk u zbatuan urdhrat, a e imagjinoni sot të ndal urdhrat e prokurorisë të Altin Dumanit unë? Nuk i imagjinoni dot vetëm për arsye sepse ne e kemi ndarë mendjen t’i japim këtij vendi një drejtësi të pavarur. Jemi ne që e kemi ndërmarrë reformën në drejtësi dhe e kemi shkruar në program.

Ne duhet ta fusim në kokë që jemi forca që do e hapim këtë rrugë. Do i hyjmë detit në këmbë, nëse nuk bëhet barazia para ligjit jo që nuk futemi dot në BE po nuk bëjmë dot prokopi. Ata thonë na jepni votën më 12 maj të shkrimë SPAK. Kanë dhe ata lajthitjet e tyre por është e pashmangshme se është një gjë e re. Nesër mund të çmendet PS vjen një tjetër thotë jo more ça na duhet kjo drejtësia kthehemi prap aty ku ishim.

Shpatën që e ka në dorë drejtësia e mbante kryetari, aty te zyra ime ishte shpata. Sot atë shpatë e ka drejtësia, këtë e kemi bërë me vetëdije. Është për të ndëshkuar më të fortët dhe prandaj ata që thonë socialistët janë nëpër burgje, na marrin të keqen. Ata që përballen me drejtësinë janë me gishtat e dorës, ne që luftojmë për drejtësinë mund të bëhemi ndoshta dhe 1 mln.