Nga Florenca Meco
Nëse ka diçka që bie qartësisht në sy, është fakti se Rama qeveris duke ndërruar rregullisht kuajt e karrocës së tij qeveritare por pa patur një busull se për ku po shkon. Pavarësisht se ai premton Evropën. Skema e ndërrimit të kuajve është e dukshme dhe e përsëritur periodikisht prej tij. Sidomos pas daljes së SPAK.
Spostohen figura të konsumuara, të cilat konsumohen po prej tij. Më pas në vend të tyre, dora i japet në formë katapulte të rinjve dhe këtu përsëri përzgjedh pikërisht ai. Një palë që pasi ka dalë nga hiçi, shkon drejt hiçit dhe një palë tjetër i zë vendin duke ka dalë përsëri nga hiçi e që pret radhën të kthehet përsëri në anonimat. Ata paraqiten në publik si aktorë të një shfaqje teatrale që për skenë ka podcastin kryeministror. Këta të rinj, ende të pa konsumuar, i janë mirënjohës atij dhe vetëm atij. Ky borxh mirënjohjeje, më pas kthehet në bindje. Bindja absolute lind kamikazë. Kamikazët bëjnë gjithçka. Pra, nëse dje në luftë, kamikazët japonezë bënin “hari-kiri” në emër të perandorit të tyre , në qeverinë e sotme shqiptare këta kamikazë korruptohen në emër të shefit. Kështu edhe kontrollohen të mos dalin nga rreshti. Dhe ai mbetet i pastër. Vetëm ai. Skema zbulohet e thjeshtë: mirnjohje që shoqërohet me bindje, bindje absolute që lind kamikazë të korrupsionit, korrupsion që kthehet me mënyrë qeverisjeje.









