STRATEGJI E SIGURISE/ BE shpalos prioritetet që synojnë largimin nga varësia amerikane, Ursula von der Leyen: Duhet të blejmë më shumë armë evropiane

Bashkimi Evropian ka njoftuar të mërkurën një strategji të re për të thyer varësinë e sigurisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në blerjen e pajisjeve të reja mbrojtëse në Evropë dhe jo nga furnizuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton AP.

Komisioni Evropian ka publikuar strategjinë e sigurisë “Gatishmëria 2030”, me kërcënimin e agresionit rus si shqetësimin kryesor. Inteligjenca e NATO-s ka konstatuar se Rusia mund të jetë e gatshme të sulmojë Evropën përsëri në tre ose pesë vjetët e ardhshme.

Viteve të fundit, 27 vendet anëtare të BE-së kanë porositur dy të tretën e pajisjeve ushtarake nga kompanitë e mbrojtjes me seli në SHBA.

“Duhet të investojmë më shumë në mbrojtje, të përforcojmë kapacitetet tona, dhe të ndërmarrim një qasje proaktive të sigurisë”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne duhet të blejmë më shumë armë evropiane. Sepse kjo përforcon bazën industriale të teknologjisë së mbrojtjes në Evropë. Do të thotë stimulim i inovacionit. E kjo nënkupton krijimin e një tregu të gjerë të Bashkimit Evropian për pajisje mbrojtëse”, ka shtuar ajo.

Muajin e kaluar, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka sinjalizuar se prioritetet e sigurisë për SHBA-në kanë ndryshuar – brenda kufijve të vendit dhe në Azi – ndërkaq Evropa duhet të kujdeset për sigurinë e vet dhe sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.