KOMUNIKIMI TELEFONIK/ Trump: Do të flas me Vladimir Putinin të martën! Reagon Kremlini

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se do të ketë një bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin, të martën.

Trump e bëri këtë njoftim gjatë një fluturimi nga Florida në Uashington me Air Force One, të dielën në mbrëmje.

“Shumë punë është bërë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund ta çojmë deri në fund atë luftë,” tha Trump.

Trump shtoi se temat e diskutimit do të përfshijnë çështje si toka dhe termocentralet.

“Do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentrale,” tha ai, duke e përshkruar atë si një “ndarje të aktiveve të caktuara.”

Edhe Kremlini ka konfirmuar se një telefonatë mes presidentëve Putin dhe Trump është duke u përgatitur për të martën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi këtë për gazetarët të hënën, por nuk ofroi detaje specifike mbi çështjet që do të diskutoheshin, përfshirë territoret e Ukrainës dhe termocentralet, siç u përmend nga Trump.

“Ne kurrë nuk e bëjmë këtë,” tha Peskov, duke shmangur diskutimet rreth detajeve të bisedës.

Aleatët evropianë kanë shprehur shqetësime për afrimitetin e Trump me Putinin dhe qëndrimin e tij kritik ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Ky qëndrim u bë i dukshëm pas vizitës së Zelenskyy në Zyrën Ovale rreth dy javë më parë, ku ai u kritikua ashpër nga Trump.

Në përpjekje për të shtyrë përpara negociatat, dërguari i posaçëm i Trump, Steve Ëitkoff, vizitoi Moskën për të promovuar bisedimet dhe theksoi se një telefonatë mes Trump dhe Putin mund të ndodhte së shpejti.