SHTYHET SEANCA/ Gjykata u njoh sot me pretendime të mbrojtjes. Kur do të jepet vendimi nga GJKKO për dosjen “Partizani”….

Është shtyrë sërish seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Në seancën e sotme gjykata u njoh me pretendimet e mbrojtjes të dy shoqërive tregtare, të cilat janë të pandehura si person juridik në proces.

Ndërkohë, në seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet më 4 Prill, në orën 09:00, prokurorët e SPAK do të paraqesin kundërshti mbi pretendimet e avokatëve dhe më pas GJKKO do të tërhiqet për vendim.

Gjyqtarja Flojera Davidhi do të marrë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e SPAK dhe çështja do të dërgohet për gjykim, apo mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.

Të akuzuarit për këtë dosje, mes të cilëve është dhe Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi kërkojnë pushimin e çështjes për mungesë fakti.

Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.