EDITORIAL/ Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

Nga Preç Zogaj

Me rikthmin në krye të partisë më të madhe opozitare Berishës i ra barra e ndërtimit të një projekti për rrotacionin e pushtetit në vend.
E kishte dhe e ka faktor lehtësues konsumimin për tre mandate radhazi të Edi Ramës në krye të qeverisë. Duke pas hedhur e djegur në betejë kundër tij Lulzim Bashën, pa marrë vetë asnjë përgjegjësi si kryetar i kryetarit për tetë vite me radhë. Kësisoj i bie të rikthehet si sfidant i freskët, pas një pauze dymbëdhjetëvjeçare, me shpresën të mbledhë gratis frytet e pakënaqësisë dhe veljes së shoqërisë me një kryeministër që rri kaq gjatë në qeveri, rrethuar me afera të shumta korruptive në hetim dhe në gjykim si asnjëherë në histori. Në fakt, me këtë bilanc të korrupsionit, qeveria e Ramës do të ishte parakaluar më kohë në sondazhe nga opozita PD-LSI e vitit 2021, kur doli me vetëm 37 mijë vota më pak, dhe sot do të ishte duke shkuar e sigurt drejt një fitoreje bindese.


Berisha e prishi atë PD për arsyet që dihen. E rithemeloi, po të shprehemi me gjuhën e tij, dhe tani u premton ndjekësve rikthimin për herë të tretë.
Mund të ishte kjo një kapriçio e historisë. Politika ka njohur tek-tuk raste. Por është në lojë fuqishëm edhe një kapriçio në inversin e së parës: Berisha të mundësojë në rolin e faktorit numër një fitoren e Ramës për herë të katërt në qeveri.

Në zgjedhjet vendore të para dy viteve koalicioni i madh i Berishës, Metës dhe gjithë partive të vogla aleate pësoi humbjen me të thellë në histori duke fituar vetëm gjashtë bashki, të gjitha të vogla, me përjashtim të Kavajës. Edhe pse PD zyrtare që drejtohej nga Enkelejd Alibeaj në ato zgjedhje mbështeti në nëntëdhjetë përqind të bashkive kandidatët e Berishës. Ky u justifikua se nuk kishte siglën, një mungesë e konsiderueshme, por jo sa të përligjte një humbje aq të madhe.
Rrezultati i atyre zgjedhjeve, një test paraprak për zgjedhjet politike të këtij viti, duhej të kishte rënë si një kambanë alarmi për opozitën. Parasëgjithash për zotin Berisha, që mori edhe siglën e PD-së në qershor të vitit të kaluar.